Aktualitet

"E shpërfytyroi ariu"/ Gruaja dhe djali mohojnë akuzat për vrasjen e Urim Fikut: S'kemi lidhje me ngjarjen! Gjykata i lë në burg

Mësohet se gjatë seancës në Gjykatën e Dibrës, ku u njohën më masat e sigurisë, Sadete dhe Gazmir Fiku kanë deklaruar se nuk kanë asnjë lidhje me ngjarjen.

zh.ll
"E shpërfytyroi ariu"/ Gruaja dhe djali mohojnë akuzat
viktima urim fiku- Gazmir dhe Sadeta Fiku

BULQIZË- Bashkëshortja dhe djali i Urim Fikut, 61-vjeçarit që u vra në fshatin Godvi të Bulqizës, kanë mohuar përfshirjen në vrasjen e tij. Mësohet se gjatë seancës në Gjykatën e Dibrës, ku u njohën më masat e sigurisë, Sadete dhe Gazmir Fiku kanë deklaruar se nuk kanë asnjë lidhje me ngjarjen.

“Nuk e vramë ne, nuk kemi lidhje me ngjarjen”, mësohet të kenë thënë ata para gjykatës, teksa kanë mbetur me pretendimet fillestare se 61-vjeçarin e kishte sulmuar ariu. Sipas dëshmisë së tyre në gjykatë, ata pretendojnë se 61-vjeçari kishte shkuar në shtëpi i gjakosur pasi ishte dëmtuar dhe i shpërfytyruar nga ariu. Sipas të akuzuarve, 61-vjeçari vendoste leqe për të zënë kafshë të egra(derra) në pyll. Më tej, sipas versionit të tyre, ai kishte marrë pistoletën dhe kishte qëlluar veten në gjoks.

Ata kanë deklaruar se konkretisht e shoqja ka njoftuar ambulancën, ndërsa djali i tyre, Gazmiri ka deklaruar se në momentin kur ka ndodhur ngjarja nuk ka qenë në banesë, pasi ndodhej në punë pranë OSHEE-së në Bulqizë.

Megjithatë, do të jenë aktet e ekspertimit të mjekësisë ligjore që pritet të vijnë nga policia shkencore që do të hedhin dritë mbi këtë ngjarje. Ndërkohë, në përfundim të seancës, gjykata vendosi masën "arrest me burg" për nënë e bir, Sadete dhe Gazmir Fiku. 

Dinamika e ngjarjes

Fillimisht gruaja e viktimës Sadete Fiku dhe djali i tij, Gazmir Fiku njoftuan Policinë, duke pretenduar se 61-vjeçari ishte sulmuar dhe kafshuar nga një kafshë e egër dhe kanë transportuar në spitalin e Bulqizës. Më pas, ata kanë kërkuar tërheqjen e trupit për të vijuar me ceremoninë mortore. Por, nga ekzaminimet mjekoligjore rezultoi se në pjesën e kraharorit viktima, ishte qëlluar me armë zjarri, duke hedhur poshtë versionin se ishte sulmuar nga kafsha e egër. 

Menjëherë më pas, disa orë pas krimit, djali dhe bashkëshortja e 61-vjeçarit u arrestuan nga policia. Ata dyshohen për veprat penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje e armëve të zjarrit dhe municionit”.

Policia sekuestroi armën e krimit, si dhe veshjet që dyshohet se janë përdorur në përpjekjen për të zhdukur gjurmët e krimit. Ndërkohë, vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe rolin e secili prej të përfshirëve./ZËRI

MOS HUMB