Aktualitet

'E sulmoi ariu, v*rau veten'! Bie dëshmia e djalit dhe gruas, hetimet: Urim Fiku u ndoq dhe u qëllua disa herë

Grupi hetimor ka zbuluar disa gëzhoja të tjera në një distancë prej 500-600 metrash nga banesa e viktimës, duke ngritur dyshime se ai mund të jetë ndjekur dhe qëlluar disa herë me armë zjarri.

F.I
'E sulmoi ariu, v*rau veten'! Bie dëshmia e djalit dhe gruas,
Gazmir Fiku, viktima Urim Fiku dhe Sadete Fiku

BULQIZË-Hetimet lidhur me ngjarjen e 3 nëntorit, ku Urim Fiku u raportua se humbi jetën pasi u sulmua nga një ari dhe më pas rezultoi se ishte vrarë, kanë marrë një tjetër drejtim sa i përket dyshimeve se autorë të vrasjes janë djali dhe gruaja e tij. Hetuesit kanë zbuluar disa gëzhoja të tjera në një distancë prej 500-600 metrash nga banesa e viktimës, duke ngritur dyshime se ai mund të jetë ndjekur dhe qëlluar disa herë me armë zjarri.

Gjatë kontrolleve të kryera në zonë, grupi hetimor ka gjetur gëzhoja që dyshohet se i përkasin së njëjtës armë zjarri të tipit TT, e cila u gjet në oborrin e banesës ditën e ngjarjes. Ky zbulim ka orientuar hetimet drejt një piste të re, sipas së cilës 62-vjeçari mund të jetë qëlluar fillimisht në distancë, ndërsa plumbin fatal mund ta ketë marrë në oborrin e banesës. Gëzhojat e sekuestruara janë dërguar në laboratorin e Policisë Shkencore në Tiranë.

Provat e reja rrëzojnë dëshminë dhe pretendimet e Sadete dhe Gazmir Fikut, gruas dhe djalit të viktimës, të cilët janë arrestuar si autorë të dyshuar të vrasjes. Dyshja kanë mohuar të kenë lidhje me ngjarjen dhe nënë e bir pretendojnë se 61-vjeçari kishte shkuar në shtëpi i gjakosur pasi ishte dëmtuar dhe i shpërfytyruar nga ariu. Sipas tyre, Fiku vendoste leqe për të zënë derra në pyll. Më tej, sipas versionit të tyre, ai kishte marrë pistoletën dhe kishte qëlluar veten në gjoks.

Dinamika e ngjarjes

Fillimisht gruaja e viktimës Sadete Fiku dhe djali i tij, Gazmir Fiku njoftuan Policinë, duke pretenduar se 61-vjeçari ishte sulmuar dhe kafshuar nga një kafshë e egër dhe kanë transportuar në spitalin e Bulqizës. Më pas, ata kanë kërkuar tërheqjen e trupit për të vijuar me ceremoninë mortore. Por, nga ekzaminimet mjekoligjore rezultoi se në pjesën e kraharorit viktima, ishte qëlluar me armë zjarri, duke hedhur poshtë versionin se ishte sulmuar nga kafsha e egër. 

Menjëherë më pas, disa orë pas krimit, djali dhe bashkëshortja e 61-vjeçarit u arrestuan nga policia. Ata dyshohen për veprat penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje e armëve të zjarrit dhe municionit”. Policia sekuestroi armën e krimit, si dhe veshjet që dyshohet se janë përdorur në përpjekjen për të zhdukur gjurmët e krimit. Ndërkohë, vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe rolin e secili prej të përfshirëve./ZËRI

MOS HUMB