TIRANË- Ergys Agasi i cili prej 29 gushtit ndodhej në një prej qelive të paraburgimit të Bradasheshit, sot me urdhër të firmosur nga drejtoresha e burgjeve, Sadleva Bodo u transferua në ambjentet e burgut të Fierit. Por si fillim qelia e radhës për Agasin u mbajt sekret.
Teksa forcat e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve u vendosën në ambientet e paraburgimit, ku Agasi po mbahej, për të kryer procedurat e nevojshme të transferimit, vetë biznesmeni nuk pranoi të largohet nga institucioni pa u njohur më parë me urdhrin zyrtar dhe vendin ku është vendosur të transferohet.
Agasi nxorri të gjitha rrobat dhe sendet personale që mbante në qelinë e burgut të Bradasheshit dhe teksa kontrollet e sendeve të tij po kryeheshin, biznesmeni po priste të shoqërohej në furgonin e policisë për të lënë ambjentet ku mbahej. Gjithçka u mbajet sekret prej disa orësh, ndërsa më pas furgoni i policisë ku ndodhej Agasi mbërriti në burgun e Fierit, aty ku edhe kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj u vendos një ditë më parë.
E vetmja gjë që nuk ndryshon nga transferimet, si e Veliajt dhe Agasit është arsyeja e lëvizjes së tyre e cila ende nuk bëhet e ditur.
Ergys Agasi u arrestua pasditen e 26 gushtit, ndërsa umëngjesin e 29 gushtit u transferua drejt ambienteve të paraburgimit të Bradasheshit, ku vijon të qëndrojë nën masën e sigurisë “Arrest me burg”, ku qëndroi deri sot. Biznesmeni ishte shpallur në kërkim nga SPAK si kreu i grupit të strukturuar kriminal, që qëndronte në krye të skemës së abuzimit me tenderat e AKSHI-t. Agasi akuzohet për disa vepra penale, mes të cilave grup i strukturuar kriminal, “Konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”. Ndërsa iu shtua edhe akuza e ‘korrupsionit pasiv’. /ZËRI