ELBASAN-Policia e Elbasanit ka zbardhur ngjarjen e ndodhur më 5 nëntor dhe ka arrestuar një prej autorëve, lidhur me vendosjen e tritolit në automjetin e punonjëses së Bashkisë, Alba Duhanxhi. Në pranga ka rënë Ervis Tivar, 43 vjeç, i dyshuar se ka siguruar automjetin që është përdorur për realizimin e shpërthimit, ndërsa tre persona të tjerë janë shpallur në kërkim.
Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të 5 nëntorit në lagjen “28 Nëntori”, ku lënda plasëse ishte vendosur në gomën e automjetit tip 'Volkswagen'. Si pasojë e shpërthimit u dëmtua dhe një automjet tjetër i parkuar në afërsi të makinës së Duhanxhiut.
Njoftimi i policisë:
Elbasan/Zbardhet ngjarja e ndodhur më datë 05.11.2026, në lagjen “28 Nëntori”, ku u vendos lëndë plasëse në automjetin në pronësi të shtetases A. D..
Finalizohet operacioni policor i koduar “Porosia”.
Identifikohet dhe ndalohet njëri prej personave të dyshuar, shpallen në kërkim 3 të tjerë.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan, në vijim të veprimeve intensive hetimore për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur më datë 05.11.2026, rreth orës 02:00, në lagjen “28 Nëntori”, ku u dëmtua me lëndë plasëse automjeti në pronësi të shtetases A. D., organizuan dhe finalizuan, në bashkëpunim me strukturat e DVP Durrës, operacionin policor të koduar “Porosia”.
Si rezultat i veprimeve të thelluara hetimore, deklarimeve të marra dhe këqyrjes së pamjeve filmike, u bë i mundur dokumentimi me prova ligjore i ngjarjes dhe ndalimi i shtetasit:
E. T., 43 vjeç, banues në Durrës (i cili dyshohet se ka siguruar automjetin e përdorur për kryerjen e ngjarjes).
Gjithashtu, u shpallën në kërkim policor shtetasit:
O. E., 36 vjeç; M. A., 33 vjeç, të dy banues në Elbasan; dhe B. N., 17 vjeç, banues në Durrës.
Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë organizuar dhe realizuar vendosjen e lëndës plasëse në automjetin në pronësi të shtetases A. D..
Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon puna për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe identifikimin e personave të tjerë të mundshëm të përfshirë në këtë ngjarje.
Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
