Çfarë qëndrimi ka Lista Studentore ndaj Kosovës?
SERBI- Aleksandër Vuçiç e pranoi humbjen në zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit në Serbi, duke thënë se pret që Lista Studentore të sigurojë shumicën në parlamentin e ri.
Sipas vlerësimeve paraprake të CRTA-s, Lista Studentore kryeson me 51,47 për qind të votave, kundrejt 40,42 për qind për listën “Aleksandar Vuçiç – Serbia e Bashkuar”. Këto nuk janë rezultate përfundimtare zyrtare.
Lista Studentore doli nga lëvizja e protestave studentore kundër korrupsionit, të nisura pas shembjes së strehës së stacionit hekurudhor në Novi Sad më 2024, ku humbën jetën 16 persona. Ajo nuk ka një udhëheqës të vetëm: studentët organizohen përmes plenumeve, ku vendimet merren kolektivisht, ndërsa për zgjedhjet mbështetën një listë kandidatësh nga fusha të ndryshme profesionale dhe shoqërore.
Por, çfarë planifikon Lista Studentore për Kosovën?
Gjatë fushatës, kandidatët e Listës Studentore u shprehën për rishqyrtimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, rikthimin e çështjes së statusit të saj në Kombet e Bashkuara dhe marrjen e vendimeve vetëm pas konsultimeve me serbët e Kosovës.
Mbetet të shihet nëse do t’u qëndrojnë këtyre qëndrimeve edhe pas zgjedhjeve.
Në qëndrimet publike në Serbi, të cilat Radio Evropa e Lirë i analizoi para zgjedhjeve të së dielës, qëndrimi i përbashkët i kësaj lëvizjeje politike, të dalë nga protestat studentore kundër korrupsionit, është: “Kosova është pjesë përbërëse e Serbisë, siç shkruan në Kushtetutën e vendit”.
Përfaqësuesit e kësaj lëvizjeje mbanin simbolikisht me vete Kushtetutën e Serbisë gjatë fushatës, me mesazhin se do ta mbronin dhe se do të vepronin vetëm në përputhje me të.
Beogradi zyrtar nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur, por negociatat për normalizimin e marrëdhënieve, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, zhvillohen që nga viti 2011. Në këtë kuadër janë arritur dhjetëra marrëveshje, për të cilat shumë analistë politikë thonë se përbëjnë njohje “de facto” të pavarësisë së Kosovës.
Një nga marrëveshjet e fundit, të pranuara në nivel politik nga Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiç, është Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e njohur edhe si Marrëveshja Bazë, e dakorduar më 27 shkurt 2023 në Bruksel, pas propozimit franko-gjerman. Ajo parashikon respektimin e integritetit territorial dhe zotimin e Serbisë që të mos e kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare. Aneksi për zbatimin e saj u dakordua më 18 mars 2023 në Ohër dhe njihet si Aneksi i Ohrit.
Kosova, nga ana tjetër, pranoi detyrimin që t’u sigurojë serbëve të Kosovës një nivel të caktuar të vetëmenaxhimit, përkatësisht ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Çfarë ndodh tani?
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e kushtëzon vazhdimin e dialogut në nivel të lartë politik me ekstradimin nga Serbia të Millan Radoiçiqit, i cili mori përgjegjësinë për sulmin e armatosur në Banjskë.
Lista Studentore, e cila mund të përcaktojë politikën shtetërore të Serbisë gjatë katër vjetëve të ardhshëm, deri më tani nuk ka shprehur qëndrim të qartë për këtë çështje.
Kritikat janë drejtuar kryesisht ndaj Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë, të formuar me mbështetjen e Partisë Përparimtare Serbe dhe të Aleksandar Vuçiçit. Deri në sulmin në Banjskë, Millan Radoiçiç ishte nënkryetar i kësaj partie.
Megjithatë, largimi i Vuçiçit nga pushteti dhe ardhja në pushtet e Listës Studentore mund të sjellin ndryshime në mënyrën se si Beogradi ushtron ndikim politik te serbët e Kosovës, veçanërisht përmes Listës Serbe. Ndikimi i Serbisë, megjithatë, shkon përtej saj: për mijëra serbë të Kosovës, institucionet e financuara nga Beogradi janë burim vendesh pune, pagash, pensionesh dhe ndihmash sociale. Arsimi dhe shëndetësia vazhdojnë të funksionojnë me financim nga Serbia dhe të punësojnë mijëra pjesëtarë të komunitetit serb.
Në Listën Studentore ishin edhe katër përfaqësues të Universitetit në Mitrovicën e Veriut, i cili funksionon në sistemin e Serbisë. Mes tyre ishte edhe docenti i Fakultetit të Mjekësisë, Jugosllav Gashiç, i cili ka folur për gazetën beogradase “Danas” për integrimin e mundshëm të institucioneve arsimore dhe shëndetësore që funksionojnë në sistemin e Serbisë në zonat e banuara me serbë në Kosovë.
“Nëse ai [integrimi] është vetëm regjistrim në të ashtuquajturin sistem të Kosovës, për mua është i pranueshëm, por integrimi si kosovarizim është absolutisht i papranueshëm”, tha ai.
Kosova e ngriti këtë çështje në shtator të vitit të kaluar, me arsyetimin se sistemi i dyfishtë është i paqëndrueshëm, ndërsa bashkësia ndërkombëtare këmbëngul që integrimi eventual duhet të zhvillohet në konsultim me komunitetin serb. Bashkësia ndërkombëtare i ka kritikuar edhe më herët veprimet e Kosovës për mbylljen e institucioneve të Serbisë, pa siguruar mënyra alternative për ofrimin e shërbimeve për qytetarët.
Marko Savkoviç vlerëson se infrastruktura politike e ndërtuar gjatë pushtetit të Vuçiqit do të vihej në pikëpyetje me largimin e tij.
“Ajo infrastrukturë do të përballej me kriza që do ta kishte shumë të vështirë t’i kapërcente: kriza financimi, kriza udhëheqjeje dhe kriza identiteti”, kishte thënë Savkoviq, bashkëpunëtor i Qendrës për Çështje Ndërkombëtare dhe të Sigurisë në Beograd, për programin Expose të Radios Evropa e Lirë në fillim të tetorit.
Kjo nuk nënkupton ndërprerjen e mbështetjes së Serbisë për serbët e Kosovës, por ngre pyetjen se në çfarë forme do të vazhdonte ajo dhe sa do të mbetej e lidhur me kontrollin politik nga Beogradi.
Për Sonja Biserkon nga Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, ndryshimi i pushtetit mund të krijojë hapësirë për një qasje tjetër.
“Për serbët e Kosovës do të ishte e rëndësishme që një pushtet i ri në Serbi të kishte një qasje realiste ndaj tyre, t’i ndihmonte ta forconin pozitën e tyre në Kosovë dhe t’i orientonte drejt dialogut me Prishtinën. Kjo do të ishte zgjidhja më e mirë për ta”, kishte thënë Biserko për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.
Ndërkaq, në një debat në transmetuesin publik të Serbisë, Jugosllav Gashiç tha se nëse Lista Studentore vjen në pushtet, do të këmbëngulë që të gjitha marrëveshjet e nënshkruara me Kosovën t’i nënshtrohen procedurës parlamentare dhe shqyrtimit nga Gjykata Kushtetuese, me mundësinë e rishikimit të tyre.
Për momentin nuk është e qartë nëse kjo do të nënkuptonte përpjekje për kundërshtimin juridik të detyrimeve të marra më herët, rishikimin e tyre politik apo ndryshimin e mënyrës se si Beogradi i zbaton ato.
Politologët që ndjekin marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, Ognjen Gogiç dhe Aleksandar Shljuka, kanë vlerësuar më herët për REL-in se autoritetet e ardhshme në Serbi nuk do të mund të tërhiqen nga dialogu, sepse një veprim i tillë do të rrezikonte marrëdhëniet me Bashkimin Evropian.
Memorandumi për Kosovën
Në mesin e vitit, në njërin prej tubimeve, Lista Studentore publikoi edhe Memorandumin për Kosovën, në të cilin Kosova trajtohet si “pjesë e patjetërsueshme dhe përbërëse e Republikës së Serbisë”.
Një pjesë e opinionit publik në Serbi e kritikoi tekstin e memorandumit, duke vlerësuar se me politika nacionaliste nuk mund të mposhtet Partia Përparimtare Serbe. Memorandumi për Kosovën përmban katër pika.
Në njërën prej tyre thuhet se çështja e Kosovës “nuk mund të zgjidhet në izolim, por vetëm brenda zhvillimeve komplekse të bashkësisë ndërkombëtare” dhe se autoritetet në Serbi duhet “të bashkëpunojnë në mënyrë aktive dhe konstruktive me të gjitha organizatat përkatëse ndërkombëtare”, për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme “brenda kuadrit të Kushtetutës së tyre”.
Në fund të shtatorit, studentët publikuan edhe një episod të fushatës së tyre zgjedhore me titull “Tradhtia e Kosovës”.
Kritika e tyre ndaj Vuçiqit nuk është se Serbia duhet ta njohë Kosovën. Ata e kritikojnë për zhvillimet që kanë ndodhur gjatë qeverisjes së tij: nga heqja e targave dhe dinarit serb në Kosovë deri te mbyllja nga autoritetet kosovare e institucioneve që funksiononin sipas sistemit të Serbisë.
Megjithatë, qëndrimin e të gjitha qeverive pas rënies së regjimit të Sllobodan Millosheviqit, se Kosova është pjesë e Serbisë, e ndan edhe shumica e qytetarëve të Serbisë. Sipas një hulumtimi të Institutit për Çështje Evropiane të vitit 2023, më shumë se 50 për qind e qytetarëve u shprehën kundër pavarësisë së Kosovës.
Duke qenë se kundërshtimi i shtetësisë së Kosovës, nuk filloi me Vuçiqin, sipas Marko Savkoviqit, dhe nuk ka gjasa të përfundojë me të.
Savkoviç i tha Radios Evropa e Lirë se hapësira politike në Serbi për një qasje thelbësisht tjetër ndaj statusit të Kosovës, vazhdon të jetë shumë e kufizuar.
“Kur bëhet fjalë për kundërshtimin e vetë shtetësisë së Kosovës si koncept, kjo është sigurisht politikë shtetërore dhe këtu mund të pritet njëfarë vazhdimësie, kushdo që të jetë në pushtet në Serbi. Opsionet politike që e pranojnë gjendjen de facto, sepse Kosova de facto është shtet, janë të pakta, janë në margjinat politike”, thotë Savkoviq për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.
As Sonja Biserko nuk pret që qasja ndaj statusit të Kosovës të ndryshojë shpejt edhe nëse në Beograd vjen një pushtet tjetër.
“Është e sigurt se, në situata të ndryshme krize, secili do të përpiqet ta përdorë Kosovën për mobilizim emocional, për të mbledhur njerëz rreth vetes. Mendoj se, në thelb, nuk do të ketë ndryshime sa i përket statusit të Kosovës. Kjo përjashtohet”, thotë Biserko për Exposenë./REL
Rusia reagon pas humbjes së Vuçiç: Presim bashkëpunim me qeverinë e re, por duhen 2 veta të kërcejnë tango
RUSI-Rusia ka reaguar për herë të parë pas humbjes së Aleksandër Vuçiçit në zgjedhjet parlamentare në Serbi. Reuters shkruan se zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov shpreson që drejtuesit e rinj të vendit të ndërtojnë marrëdhënie konstruktive me Moskën, ndërsa ka vlerësuar kontributin e Vuçiçit në bashkëpunimin mes dy vendeve.
Peskov deklaron se forca e re politike e Serbisë duhet të kuptojnë se bashkëpunimi me Rusinë, është jetësor për Serbinë dhe në interes të vendit të tyre. Moska synon të vazhdojë zhvillimin e marrëdhënieve me Beogradin.
“Ne e vlerësojmë shumë kontributin që zoti Vuçiç ka dhënë në zhvillimin e marrëdhënieve tona dypalëshe. Jemi të vetëdijshëm se zoti Vuçiç do të mbetet aktiv në politikë dhe shpresojmë që, edhe ndërsa është në opozitë, ai do të vazhdojë të kontribuojë në zhvillimin e marrëdhënieve tona dypalëshe. Sa i përket forcës së re politike që do të vijë në pushtet si rezultat i zgjedhjeve, dëshirojmë të shprehim shpresën tonë se veprimet e saj do të drejtohen në mënyrë konstruktive drejt zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve dhe se këto forca të reja politike do ta kuptojnë se bashkëpunimi me Rusinë është në interes të Serbisë, sepse i sjell dobi Serbisë. Nga ana jonë, ne synojmë të vazhdojmë të bëjmë gjithçka që mundemi për të nxitur zhvillimin e marrëdhënieve tona me Beogradin. Por, siç e dini, duhen dy veta për të kërcyer tango”, u tha Peskov gazetarëve.
Lista Studentore, parti e dalë nga protestat 2-vjeçare, arritën të mundnin Aleksandër Vuçiç prej 14 vitesh në pushtet. Vuçiç pranoi humbjen në zgjedhje, duke konfirmuar fitoren e lëvizjes opozitare të udhëhequr nga studentët. Vuçiç arriti të marrë 38.7% të votave, kundrejt Listës Studentore, e cila arriti të marrë rreth 52% të votave./ZËRI
Festë në Beograd! Serbët festojnë largimin e Vuçiçit nga pushteti (VIDEO)
SERBI- Qindra qytetarë u mblodhën në qendër të Beogradit për të festuar pas fitores së Listës së Studentëve ndaj Aleksandër Vuçiçit. Në rrugët qendrore të kryeqytetit serb, u ndezën flakadanë dhe fishekzjarre. Pamjet nga Beogradi tregojnë turma qytetarësh, automjete që lëvizin midis njerëzve të mbledhur në rrugë, ndërsa në sfod dëgjohen boritë në shenjë festimi.
View this post on Instagram
Festime u zhvilluan edhe në qytete të tjera. Festimet nisën pas deklaratës së Vuçiçit se Lista Studentore kishte fituar zgjedhjet.
Mbështetësit e Listës së Studentëve vërshuan menjëherë rrugët e Beogradit dhe qyteteve të tjera, duke rënë borive, duke bërtitur dhe brohoritur: “Aleksandri është zhdukur”, duke iu referuar Vuçiçit./ZËRI
Pasi pranoi humbjen e zgjedhjeve, Vuçiç paralajmëron: Do të tregojmë se çfarë është opozita
SERBI- Pas rezultateve dramatike mbrëmjen e së dielës, Aleksandër Vuçiç pranoi humbjen në zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Megjithatë, gjatë një fjalomi nga selia e partisë së ti, ai deklaroi se do të vijojë betejën politike pas humbjes së listës së tij në zgjedhje.
“Do të luftojmë dhe do të tregojmë se çfarë është opozita”, deklaroi Vuçiç. Gjithashtu, ai paralajmëroi se pas rezultatit zgjedhor mund të ketë largime nga radhët e mbështetësve të tij.
Njoftimi i tij u prit me brohoritje, eufori dhe lot në selinë e Listës së Studentëve, sipas agjencisë së lajmeve FoNet me seli në Beograd.
Ndërkohë, në selinë e Listës së Studentëve, rezultati u prit me brohoritje, eufori dhe lot gëzimi, raportoi agjencia e lajmeve FoNet me seli në Beograd. Dhjetëra mijëra njerëz mbushën rrugët kryesore të Beogradit, ndërsa mbështetës të Listës së Studentëve ngisnin makinat e tyre, duke u rënë borive./ZËRI
"Historike"/ Shaip Kamberi dhe Visar Mehmeti, dy shqiptarët në parlamentin e ri të Serbisë, në garë mandati i tretë
SERBI- Zgjedhjet në Serbi shënuan një pjesëmarrje rekord dhe një rezultat historik. Lista Studentore, parti e dalë nga protestat 2-vjeçare, arritën të mundnin Aleksandër Vuçiç prej 14 vitesh në pushtet.
Ndërkohë, një tjetër sukses u arrit edhe nga partitë shqiptare, të cilat u bashkuan nën siglën e ‘Koalicionit Shqiptar’. Sipas rezultateve, Shaip Kamberi dhe Visar Mehmeti pritet të jenë dy deputetët shqiptarë që do ta përfaqësojnë Luginën e Preshevës në Kuvendin e Serbisë. Ndërkohë, Kamberi bën me dije se janë në garë edhe për një mandat të tretë.
Përmes një postimi në Facebook, Kamberi e cilëson arritje historike, duke theksuar se koalicioni mbetet në garë për mandatin e tretë.
"ARRITJE HISTORIKE! Dy mandate për shqiptarët në Kuvendin e Serbisë, në garë për të tretin! Sipas rezultateve preliminare, “Koalicioni Shqiptar” ka marrë 27.230 vota, që me rritjen prej 35% të koeficientëve zgjedhorë për pakicat kombëtare japin vlerën llogaritëse prej 36.761 votash. Ky është rezultati i bashkimit politik, i besimit qytetar dhe i përkushtimit të përbashkët për përfaqësim dinjitoz. Si prijës i listës, falënderoj secilin qytetar të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës për besimin, të gjitha subjektet politike për bashkimin dhe Kryeministrin Albin Kurti për angazhimin e tij. Bashkë në zgjedhje, bashkë në përfaqësim, bashkë për të drejtat tona!", shkruan Kamberi në postimin e tij.
Megjithatë, ndarja përfundimtare e mandateve do të konfirmohet pas përfundimit të numërimit dhe certifikimit të rezultateve zgjedhore./ZËRI
Profesori nga Beogradi: Humbja e Vuçiç, shans për shërimin e shoqërisë serbe
SERBI- “Ky është një shans që të fillojmë të shërohemi si shoqëri, t’i ndëshkojmë ata që janë përgjegjës dhe të përpiqemi të jetojmë si gjithë bota normale”, deklaroi për Radion Evropa e Lirë (REL) Dushan Spasojeviç, profesor në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd.
Pas fitores së Listës Studentore në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi, Spasojeviç e cilëson rezultatin si një fitore të madhe dhe deri diku të papritur, si dhe një humbje shumë të rëndë për Partinë Përparimtare Serbe (SNS).
“Befasi është ky rezultat bindës, si dhe fakti që askush tjetër nuk e kaloi pragun zgjedhor, çka konfirmoi se kjo ishte një betejë mes dy listave të mëdha”, tha ai.
Ish-presidenti i Serbisë dhe kandidati i listës “Serbia e Bashkuar”, Aleksandar Vuçiç, e pranoi humbjen në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 25 tetorit. Ai tha se, bazuar në mostrën e votave të numëruara, ishte e qartë se SNS-ja i kishte humbur zgjedhjet dhe se kishte fituar Lista Studentore, e cila, sipas tij, do të siguronte mes 135 dhe 140 mandateve, ndërsa SNS-ja rreth 105. Vuçiç tha se listat e tjera, përveç atyre të pakicave, nuk e kishin kaluar pragun zgjedhor.
Menaxhimi i pritjeve, ndër sfidat më të mëdha
Politologu Dushan Spasojeviç e sheh menaxhimin e pritjeve si një ndër sfidat më të mëdha për pushtetin e ri.
“Por, mendoj se do të ishte jashtëzakonisht e rëndësishme t’i ulim pritjet dhe të mos besojmë se që të premten e ardhshme Serbia do të jetë shtet i së drejtës dhe se të gjithë ata që e meritojnë do të jenë në burg”, tha ai.
Sipas Spasojeviqit, humbja e Partisë Përparimtare Serbe dhe e kandidatit të saj për kryeministër, Aleksandar Vuçiç, ishte aq e thellë sa u detyruan ta pranonin. I pyetur nëse zgjedhjet e parakohshme parlamentare u zhvilluan në një atmosferë referendumi, Spasojeviç tha se kjo mund të thuhet pa asnjë dyshim.
“Vuçiq u përpoq t’i jepte fund krizës duke shpallur zgjedhje të parakohshme, por nuk ia doli. Nuk mundi ta përmbyste atë prirje”, tha ai.
Spasojeviç tha se SNS-ja kontrollonte gjithçka deri para dy vjetësh, kur ndodhi tragjedia në Novi Sad, ku nga shembja e strehës prej betoni të stacionit hekurudhor humbën jetën 16 persona.
“Reagimi i tyre ndaj kësaj dhe dëshira që askush prej tyre të mos mbante përgjegjësi për asgjë çuan deri këtu. Sikur ndonjë ministër të kishte përfunduar në burg, sikur dikush të ishte arrestuar, nuk do t’i shihnim këto skena, e sigurisht jo në këtë mënyrë”, vlerësoi ai.
I pyetur se çfarë pret nga pushteti i ri, Spasojeviç tha se pret që ai të sigurojë respektimin e ligjit dhe lirinë e mediave, si dhe t’ia rikthejë autonominë universitetit.
“Besoj se edhe këto gjëra themelore do të përbënin një hap të madh përpara”, shtoi ai.
Qendra për Zgjedhje të Lira dhe Demokraci (CeSID) dhe agjencia Ipsos njoftuan se, bazuar në 56 për qind të mostrës së përpunuar, Lista Studentore kishte fituar zgjedhjet e parakohshme parlamentare me 52 për qind të votave. Këto janë vlerësime paraprake, jo rezultate përfundimtare zyrtare./REL
Tërmet politik në Beograd! Kush është kardiologu që rrëzoi pushtetin 14-vjeçar të Aleksandër Vuçiç
SERBI- Aleksandër Vuçiç ka pranuar humbjen e partisë së tij në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, duke konfirmuar fitoren e "Lista e Studentëve", e cila pritet të marrë mes 135 dhe 140 vende në Parlament. Vuçiç e pranoi humbjen përpara se Komisioni Zgjedhor i Republikës (RIK) të publikonte rezultatet zyrtare.
Në krye të listës që mundi Aleksandër Vuçiçin është Ilija Srdanoviç, profesor i kardiologjisë në Novi Sad.
Po kush është Ilija Srdanoviç?
SrdanoviÄ lindi në Novi Sad në vitin 1970, sipas biografisë së tij zyrtare të cituar nga faqja e verifikimit të fakteve Istinomer, dhe u rrit në Vrbas, ku mbaroi shkollën fillore dhe atë të mesme. Ai u diplomua në mjekësi në Novi Sad në vitin 1995, u kualifikua si kardiolog në vitin 2004 dhe mori doktoraturën në vitin 2012.
Që nga viti 1997 ai ka punuar në Institutin për Sëmundjet Kardiovaskulare të Vojvodinës në Sremska Kamenica, pak jashtë Novi Sadit. Ai ka dhënë mësim mjekësisë emergjente në Fakultetin e Mjekësisë në Novi Sad që nga viti 2018 dhe u bë profesor i plotë në vitin 2025.
Nga protestat në krye të listës
Srdanoviç i mbështeti protestat studentore që nga fillimi. Ato filluan pasi tenda e betonit të stacionit hekurudhor të Novi Sadit u shemb më 1 nëntor 2024, duke vrarë 16 persona.
Gjatë një takimi të fundit me studentët në Novi Sad, ku u prezantua si kandidat, Srdanoviç u ndal te tragjedia e stacionit hekurudhor të qytetit. Ai theksoi se, gati dy vjet pas ngjarjes, qytetarët vazhdojnë të kërkojnë përgjigje dhe përgjegjësi për atë që ndodhi.
Sipas tij, një pjesë e shpresës për ndryshim lidhet me brezin e ri dhe angazhimin e tij për një të ardhme më të mirë të Serbisë. Ai e sheh rininë si një forcë që mund të ndikojë në transformimin e vendit dhe në përmirësimin e institucioneve.
Lista me 250 emra iu dorëzua RIK-ut më 14 shtator 2026 dhe u prezantua e plotë të nesërmen. Studentët thanë se kandidatët “nuk u zgjodhën nga udhëheqësit e partive”, por nga plenumet studentore. Sipas të përjavshmes Vreme, një shumicë e ngushtë në plenum rrëzoi rektorin e Universitetit të Beogradit Vladan ÄokiÄ, i cili pritej gjerësisht të udhëhiqte, dhe zgjodhi Srdanoviçin si “të parin midis të barabartëve”.
A është ai kandidati për kryeministër? Kjo është e paqartë. Studentët thonë se lista nuk ka udhëheqës; i pyetur për kryeministrinë, Srdanoviç tha se ka më shumë se një kandidat për çdo pozicion.
Pas rezultateve ka reaguar Brukseli. Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Kosta, dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, uruan Listën Studentore për fitoren në zgjedhje, duke shprehur gatishmërinë e institucioneve evropiane për të mbështetur përparimin e Serbisë drejt BE-së.
“Jemi të gatshëm të mbështesim reformat në fushën e sundimit të ligjit, lirisë së mediave, luftës kundër korrupsionit dhe forcimit të institucioneve demokratike, si dhe të punojmë së bashku për realizimin e së ardhmes evropiane të Serbisë”, thanë ata në një postim të përbashkët në X.
Komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, vlerësoi se rezultati i zgjedhjeve shënon një fillim të ri në marrëdhëniet e Serbisë me Brukselin.
“Për Serbinë mund të fillojë një kapitull i ri. Dyert e BE-së janë të hapura dhe jemi të gatshëm të ecim përpara së bashku”, tha Kos.
Duke uruar Listën Studentore, ajo tha se qytetarët e Serbisë e shprehën zërin e tyre duke marrë pjesë në zgjedhje në numër historik, pas pothuajse dy vjetësh protesta për demokraci, sundim të ligjit dhe luftë kundër korrupsionit.
“Pikërisht këto janë vlerat që qëndrojnë në zemër të Bashkimit tonë Evropian”, tha Kos./ZËRI
Lista Studentore fiton zgjedhjet në Serbi, Vuçiç pranon humbjen

SERBI- Mbretërimi 14-vjeçar i Vuçiçit duket se ka marrë fund nga një pjesëmarrje rekord e votuesve në zgjedhje, e provokuar nga protestat e udhëhequra nga studentët.
Lista Studentore ka marrë 51.47% të votave në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi, ndërsa lista “Aleksandër Vuçiç – Serbia e Bashkuar” ka siguruar 40.42%, sipas të dhënave të publikuara nga organizata CRTA.
Vuçiç ka pranuar humbjen ndaj lëvizjes protestuese të udhëhequr nga studentët në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të vendit.
"Ende nuk kemi rezultate përfundimtare... është e qartë se i kemi humbur këto zgjedhje", tha Vuçiç.
Pranimi i humbjes erdhi pasi një numër rekord votuesish u paraqitën për të hedhur votën e tyre të dielën. Në të gjithë vendin, radhë të gjata u mbushën me qendrat e votimit, me disa që raportuan kohë pritjeje deri në dy orë. Deri në orën 19:00 sipas orës lokale, anketuesit dhe monitoruesit CeSID dhe Ipsos e vunë pjesëmarrjen në 67.6%, më e larta që nga shpërbërja e Jugosllavisë në vitin 1992.
Vuçiç kishte thirrur zgjedhjet e parakohshme pas dy vitesh protestash të shkaktuara nga shembja e tendës së një stacioni treni në qytetin e Novi Sadit në vitin 2024, e cila vrau 16 persona dhe u pa si emblemë e korrupsionit dhe neglizhencës në Serbi./ZËRI