TIRANË-Sekretariati i Etikës në Kuvend ka shqyrtuar sot kërkesën e paraqitur nga Partia Socialiste për përjashtimin nga punimet e Kuvenit për 20 deputetë të Partisë Demokratike. Konkretisht, PS kërkoi përjashtimin me 60 ditë për Flamur Nokën, Belind Këlliçin, Fidel Krekën, Edi Palokën, Besart Xhaferrin dhe Luçiano Boçin. Ndërkohë, socialistët kërkojnë përjashtimin me 10 ditë edhe për 14 deputetë të tjerë: Gjin Gjoni, Bardh Spahia, Albana Vokshi, Elda Hoti, Xhelal Mziu, Gent Strazimiri, Enno Bozdo, Kastriot Piroli, Kliti Hoti, Flamur Hoxha, Arjan Ndoja, Ivi Kaso, Zija Ismaili dhe Blendi Himçi.
Lidhur me kërkesën Etika ka vendosur për përjashtimin me 60 ditë të gjashtë deputetëve të opozitës: Flamur Nokën, Belind Këlliçin, Fidel Krekën, Edi Palokën, Besart Xhaferrin dhe Luçiano Boçin. Ndërkoheë sa u përket 14 opozitarëve të tjerë Komisioni i Etikës nuk ka marrë masa ndaj tyre.
Kërkesa erdhi pas tensioneve gjatë seancës plenare të mbajtur një ditë më parë më 22 tetor, ku në Kuvend pati përplasje fizike mes deputetëve dhe sharje banale.
Sipas kërkesës, Flamur Noka është përplasur fizikisht me kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi, si dhe me kreun e Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla. Ndërsa deputeti demokrat Fidel Kreka pretendohet se ka goditur me bllokun e votimit ish-ministrin Ervin Hoxha.
Socialistët ngritën akuza edhe ndaj Belind Këlliçit, Besart Xhaferrit, Edi Palokës, Fidel Krekës dhe Luçiano Boçit, duke pretenduar se ata kanë fyer dhe kanë goditur me shishe uji deputetë të Partisë Socialiste.
