Aktualitet

Nga korrupsioni tek pastrimi i parave, SPAK me njoftim zyrtar për Ballukun: I komunikuam 5 akuzat

SPAK njofton se ndaj Belinda Balluku rëndojnë akuzat për shkelje e barazisë në tendera, 9 herë, korrupsion, refuzim dhe mosdeklarim  i pasurive si dhe pastrim i produkteve të veprës penale  ose i veprimtarisë kriminale.

F.I
Nga korrupsioni tek pastrimi i parave, SPAK me njoftim zyrtar për Ballukun:
Ardian Kalia dhe Belinda Balluku

TIRANË-Ish-zv.kryeministrja Belinda Balluku u paraqit sot në SPAK së bashku me avokatin e saj, Ardian Kalia. Avokati i saj, Kalia në dalje të ambjenteve nga Prokuroria e Posaçme deklaroi shkurtimisht për mediat se çështja është në fazë hetimesh dhe do të ketë edhe një zgjatje.

‘Jemi në fazë hetimesh, do të ketë dhe një zgjatje’,- u shpreh avokati i Ballukut.

Vetë Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar doli me një njoftim zyrtar, duke bërë me dije se ditën e sotme ish-zëvendëskryeministres dhe ish-ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, i janë komunikuar 5 akuzat që rëndojnë ndaj saj.

Njoftimi i SPAK:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka komunikuar sot, më 20.10.2026, të pandehurës Belinda Balluku akuzat përfundimtare për veprat penale të mëposhtme:

“Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim (nëntë herë), parashikuar nga neni 258/2 e 25 i Kodit Penal.
“Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, e parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal.
“Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, i parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal.
“Refuzim për deklarimin, mosdeklarimin, fshehjen ose deklarimin e rremë të pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, (dy herë), parashikuar nga neni 257/a, paragrafi i 2-të i Kodit Penal.
“Pastrim i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”, parashikuar neni 287, gërma “b” i Kodit Penal, e kryer në rrethana cilësuese “në bashkëpunim dhe më shumë se një herë”, sipas nenit 287/2 të Kodit Penal (për dy pasuri të paluajtshme).

Prokuroria e Posaçme po vijon veprime konkrete procedurale për t’i komunikuar akuzat edhe personave të përfshirë në të njëjtën çështje penale.  Detaje të tjera do të bëhen të ditura në një moment të mëvonshëm.

 

MOS HUMB