Tensionet në Kuvend, PS kërkon 'ndëshkim': përjashtimin me 10 ditë të Berishës, 60 ditë për 6 të tjerë
TIRANË- Pas tensioneve në seancën plenare të kësaj të enjteje, deputetët e Partisë Socialiste i janë drejtuar Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën duke kërkuar masë disiplinore për kryedemokratin Sali Berisha dhe disa deputetë të tjerë.
Socialistët kërkojnë përjashtimin me 10 ditë të Sali Berishës nga punimet e Kuvendit. Sipas kërkesës, gjatë fjalës së tij në Kuvend, Berisha ka përdorur gjuhë joparlamentare dhe nxitëse të dhunës, pasi u shpreh se plumbat e gomës dhe gazi lotsjellës që përdoren gjatë protestave duhet t’u hidhen deputetëve të Partisë Socialiste.
Masa disiplinore është kërkuar edhe për 6 deputetë të tjerë, për të cilët PS kërkon përjashtimin me 60 ditë: Bledion Nallbatin, Ivi Kason, Xhelal Mziun, Klodiana Çapjan, Albana Vokshin dhe Blendi Himçin.
Kërkesa e socialistëve vjen pas kaosit të regjistruar në Kuvend gjatë seancës plenare që zgjati më pas se dy orë. Tensionet nisën që në nisjen e seancës, ku deputët e opozitës goditën tavolinat dhe bllokuan foltoren. Pavarësisht thirrjeve të kreut të Kuvendit, Niko Peleshi dhe ndërprerjeve të seancës, tensionet nuk u ndalën. Pas bllokimit të foltores, opozita i përshkallëzoi tensionet në Kuvend, pasi deputetët ndezën tymuese dhe flakadanë. Në këto kushte, Peleshi kaloi në votim direkt të projekligjeve dhe mbylli seancën plenare./ZËRI
Mes flakadanëve, Rama dhe Balluku japin kartonat jeshilë për ligjin për Bankën dhe largohen (VIDEO)
TIRANË- Kryeministri Edi Rama dhe deputetja Belinda Balluku ishin të pranishëm sot në Kuvend. Rama dhe balluku mbërritën vetëm për të votuar projektligjin për Bankën e Shqipërisë që kërkonte 84 vota pro. Menjëherë pas votimit, ata janë larguar nga seanca.
Votimi u zhvillua mes tensioneve dhe kaosit, pasi deputetët e opozitës ndezën flakadanë dhe tymuese. Edhe pas largimit të Ramës dhe Ballukut, tensionet vijojnë teksa Peleshi ka kaluar në votim direkt të gjitha projektligjet./ZËRI
Tymuese e flakadanë në Kuvend, përjashtohen 4 deputetë të PS, kalohet në votim direkt (VIDEO)
TIRANË- Kuvendi është përfshirë nga kaosi. Pas bllokimit të foltores, deputetët e PD-së kanë ndezur tymuese dhe flakadanë. Në këto kushte, kreu i Kuvendit kaloi në votim direkt projektligjet. Ndërkohë, pas përplasjeve Peleshi përjashtoi nga seanca 4 deputetë: Blendi Himçin, Ivi Kaso, Bledion Nallbati e Xhelal Mziu.
/ZËRI
Tensionet në seancën plenare, kryeministri Rama në ambientet e Kuvendit (VIDEO)
TIRANË- Tensionet të forta janë shënuar sot në Kuvend që në nisje të seancës. Ndërkohë, kryeministri Edi Rama ndodhet në ambientet e Kuvendit. Në këto pamje jashtë godinës shihet eskorta e kreut të qeverisë.
/ZËRI
"Blindohet" perimetri i Kuvendit, autobotë uji dhe forca të shtuara policore në terren
TIRANË- Kuvendi ka nisur seancën plenare, ndërsa në ambientet e jashtë qëndrojnë dhjetëra makina dhe efektivë policie për të siguruar mbarëvajtjen e seancës. Në gatishmëri janë vendosur edhe autobotët me ujë me presion, ndërsa perimetri është rrethuar me gardhe metalike. Masat e shtuara të sigurisë vijnë në një kohë kur vendi prej disa ditësh po përballet me protesta dhe tensione./ZËRI
“Plumbat e gomës i meritojnë këta”/ Peleshi i heq fjalën për gjithë ditën Berishës: Kjo është thirrje për dhunë
TIRANË- Seanca plenare ka nisur me tensione të forta. Kryedemokrati Sali Berisha mori i pari fjalën dhe u ndal te protesta, duke thënë se deputetët e mazhorancës meritojnë plumbat e gomës dhe gazin lotsjellës. Deklarata solli ndërhyrjen e kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, i cili i ndërpreu fjalën kreut të opozitës, duke e cilësuar deklaratën si thirrje për dhunë.
Pjesë nga debati:
Berisha: Java dhe ditët që kaluan, Tirana pa barbaritë më të mëdha ndaj të rinjve shqiptarë, barbaritë gjatë asnjë pushtimi. Në rrugët e Tiranës u thyen kocka, u çanë kafka, u përshtatën mjetet më të egra kundër të rinjve. Këta parlamentarë që shihni këtu, janë më kriminelë se ata që thyejnë kocka dhe çajnë kafka. E meritojnë këta gazin lotsjellës, plumbat e gomës, kafkat e çara, kockat e thyera.
Peleshi: Kjo është thirrje për dhunim. Ju hiqet fjala. Keni bërë thirrje për dhunë nga foltorja e Kuvendit. S’keni të drejtë fjale për gjithë ditën e sotme.
Peleshi i hoqi fjalën për gjithë ditën Berishës, teksa ndërpreu seancën për 5 minuta pushim./ZËRI
Nis me zhurmë seanca plenare, deputetët e PD godasin tavolinat e bllokojnë foltoren (VIDEO)
TIRANË- Ka nisur me tensione seanca e sotme plenare. Deputetët e PD me pankarta në duar në mbështetje të studentëve, goditën me duar tavolinat teksa fliste kreu i Kuvendit, Niko Peleshi. Më pas tensionet vijuan, teksa deputetët e opozitës bllokuan foltoren dhe në kushte të tilla, Peleshi njoftoi 5 minuta pushim.
/ZËRI