TIRANË- Presidenti Bajram Begaj nisi sot takimet konsultative me forcat politike për datën e zgjedhjeve të ardhshme vendore 2027. I pari që nisi serinë e takimeve ishte kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i cili mbërriti rreth orës 09:00 në Pallatin e Brigadave.
Balla ka reaguar pas takimit me Presidentin e Republikës, Bajram Begaj, për caktimin e darës së zgjedhjeve vendore të 2027. Në një deklaratë për mediat, pas takimit, Balla deklaroi se PS u bën thirrje të gjitha forcave dhe lëvizjeve politike të marrin pjesë në zgjedhjet vendore të vitit 2027.
Balla theksoi se bojkoti i zgjedhjeve nuk është zgjidhje, teksa deklaroi se Partia Socialiste është e gatshme për çdo datë, përveç 2 Majit, pasi përkon me një festë fetare.
“Partia Socialiste i bën thirrje të gjitha forcave dhe lëvizjeve politike të marrin pjesë në Zgjedhjet Vendore 2027. Bojkoti i zgjedhjeve nuk është zgjidhje!”, u shpreh Balla.
Ndërkohë, partitë opozitare kanë refuzuar ftesën e presidentit Bajram Begaj për datën e zgjedhjeve./ZËRI